Kur fëmija të thotë „s’jam mirë“
Nëse djali ose vajza jote ta ka thënë këtë, ka bërë diçka të vështirë: të ka besuar ty. Shumë të rinj nuk ua thonë prindërve, nga frika se do t’i mërzitin ose se nuk do t’i marrin seriozisht. Mënyra si e pret këtë bisedë i tregon nëse mund të kthehet sërish te ti.
Çfarë ndihmon në bisedën e parë
- Dëgjo deri në fund, pa e ndërprerë dhe pa nxituar me këshilla.
- Falënderoje që ta tha: „Mirë që ma the. Jam këtu.“
- Pyet butë: „Që kur ndihesh kështu?“, „Çfarë të rëndon më shumë?“
- Pranoje ndjenjën edhe kur s’e kupton plotësisht: „E besoj që po të vjen rëndë.“
- Pyet çfarë i duhet: „Do që thjesht të të dëgjoj, apo të mendojmë bashkë çfarë të bëjmë?“
Çfarë është mirë të shmangësh
- „S’ke gjë, kalon.“ Ndoshta e thua për ta qetësuar, por mund ta dëgjojë si „mos më trego më“.
- Krahasimet: „Ne e kishim më keq në moshën tënde.“
- „Çka do të thonë njerëzit?“ Ajo që ka rëndësi tani është si ndihet fëmija yt.
- Ta kthesh bisedën te faji, te telefoni ose te shkolla, para se ta kesh dëgjuar.
Pas bisedës
- Kthehu te tema pas një dite a dy: „Po mendoja për atë që më the. Si je sot?“
- Nëse vështirësia zgjat disa javë ose ndikon te gjumi, ushqimi a shkolla, flisni bashkë me mjekun e familjes ose me një psikolog.
- Kujdesu edhe për veten. Është e natyrshme të ndiesh shqetësim ose pafuqi. Edhe ti mund të flasësh me dikë.
Nëse fëmija flet për vetëlëndim, për vdekje ose është në rrezik tani, mos e lër vetëm dhe telefono
112. Shiko edhe numrat e ndihmës për Kosovën dhe Shqipërinë.
Tema të tjera
Shprehu është falas dhe anonim. Nuk është terapi dhe nuk zëvendëson psikologun apo mjekun.