Kushtet dhe rregullat

Versioni 1.8 · në fuqi nga 17 tetor 2026

Shprehu nuk është shërbim urgjence dhe nuk është terapi.

Këtu flet me njerëz të zakonshëm, jo me profesionistë të shëndetit mendor. Askush këtu nuk është i trajnuar të diagnostikojë ose të trajtojë. Nëse je në rrezik të menjëhershëm, telefono 112. Për linja ndihme falas, shih faqen e ndihmës.

1. Kush mund ta përdorë

  • Duhet të jesh 18 vjeç e lart.
  • Një person, një llogari. Emri i përdoruesit duhet të jetë pseudonim, mos përdor emrin tënd të vërtetë. Llogaritë e reja e zgjedhin vetë emrin, me 8 deri 24 karaktere, dhe emrat pa kuptim si „aaaaaaaa“ apo „12345678“ nuk pranohen. Me Google ose Apple, emri vendoset nga sistemi.
  • Llogaria e re hapet pasi konfirmon email-in me kodin 6-shifror që të dërgojmë. Nëse e ke shkruar gabim, mund ta ndryshosh te i njëjti hap.
  • Mund të hysh me pseudonim dhe fjalëkalim, ose me llogarinë tënde Google. Në të dyja rastet, përdoruesit e tjerë shohin vetëm pseudonimin.
  • Je përgjegjës për fjalëkalimin tënd dhe për çdo veprim që bëhet nga llogaria jote.

2. Rregullat e komunitetit

Këto rregulla nuk janë formalitet. Njerëzit vijnë këtu në momentet e tyre më të brishta, ndaj shkelja e tyre bën dëm real.

Dëgjo më shumë sesa flet. Personi përballë nuk kërkon zgjidhje; në shumicën e rasteve kërkon dikë që qëndron.
Mos jep këshilla mjekësore ose psikologjike. Mos rekomando ilaçe, doza, diagnoza ose ndërprerje trajtimi. Nëse dikush ka nevojë për ndihmë profesionale, drejtoje te faqja e ndihmës.
Ruaj anonimitetin, të tëndin dhe të tjetrit. Mos kërko dhe mos jep emra të vërtetë, numra telefoni, adresa, profile në rrjete sociale ose foto identifikuese. Postimet dhe citatet që duket se kanë numër telefoni, email ose llogari sociale nuk shfaqen menjëherë: i sheh së pari ekipi. Nëse në bisedë dikush të kërkon kontakte, mund ta raportosh me butonin e raportimit; përsëritja mund të çojë në pezullim.
Asgjë nga bisedat nuk del jashtë. Mos i bëj screenshot, mos i kopjo dhe mos i shpërndaj bisedat askund.
Pa ngacmim, urrejtje ose kërcënime. Përfshirë gjuhë raciste, seksiste, homofobike ose fetare përçmuese, dhe çdo formë presioni. Në bisedë, fjalët vulgare dhe fyerjet ndaj bashkëbiseduesit zëvendësohen automatikisht me yje, ndërsa fyerjet seksuale, familjare dhe gjuha e urrejtjes ndaj tij nuk dërgohen fare. Përsëritja i njoftohet ekipit bashkë me mesazhet e ndalura dhe mund të çojë në pezullim. Të shfryhesh për veten dhe për atë që po kalon është gjithmonë në rregull.
Pa përmbajtje seksuale dhe pa flirt. Kjo nuk është platformë njohjesh. Çdo afrim seksual, sidomos ndaj dikujt që të thotë se po e kalon keq, çon në përjashtim të përhershëm.
Mos përshkruaj metoda vetëdëmtimi. Fol lirisht për atë që ndjen, por pa detaje se si.
Pa reklama, pa lidhje të dyshimta, pa mbledhje ndjekësish.
Nëse s'e përballon dot bisedën, thuaje dhe largohu me qetësi. Nuk ke detyrim të mbash peshën e askujt. Të largohesh me sinqeritet është më mirë sesa të zhdukesh papritur.

3. Kur dikush është në rrezik

Nëse bashkëbiseduesi të thotë se mendon të dëmtojë veten ose dikë tjetër:

  1. Merre seriozisht. Mos vendos ti nëse e ka „vërtet“ seriozisht.
  2. Qëndro me të dhe drejtoje te numrat te faqja e ndihmës.
  3. Nëse rreziku duket i menjëhershëm, inkurajoje të telefonojë 112, ose telefono ti nëse ke informacion konkret që mund të ndihmojë.
  4. Përdor butonin e raportimit që ekipi ta dijë.

Platforma zbulon automatikisht disa fjalë që lidhen me krizën dhe u shfaq të dyve burimet e ndihmës. Ky zbulim është ndihmës dhe jo i pagabueshëm, nuk zëvendëson gjykimin tënd.

Kur fjalët duket se kanë të bëjnë me personin që i shkroi, ky person mund të marrë edhe një email të ngrohtë me numrat e ndihmës (jo më shumë se një herë në 24 orë). Fjalët që duken si kërcënim ndaj dikujt tjetër i shkojnë ekipit si raport i veçantë. Mesazhi vetë nuk ruhet në asnjë rast; shih Politikën e Privatësisë, pika 5.

4. Çfarë ndodh kur shkelen rregullat

  • Bllokim mes përdoruesve: mund ta bllokosh vetë personin tjetër në çdo moment dhe nuk do të lidheni më.
  • Vlerësimi pas bisedës: kur mbaron një bisedë, mund ta vlerësosh dhe të shënosh nëse personi tjetër shkeli rregullat. Mund të përgjigjesh edhe nëse u ndjeve pak më mirë (jo, njësoj, po). Vlerësimi i shkon vetëm ekipit, bashkë me pseudonimet e të dy llogarive, që shkeljet të gjenden shpejt. Personi tjetër nuk e sheh.
  • Raportim: raportet shqyrtohen nga ekipi, zakonisht brenda 24 deri 48 orësh. Raportet që lidhen me rrezik për jetën kanë përparësi.
  • Masat: sipas rëndësisë, heqje e përmbajtjes, pezullim i llogarisë, ose përjashtim i përhershëm. Email-i i një llogarie të përjashtuar nuk mund të përdoret për të hapur llogari të re, as me variante si [email protected].
  • Përjashtim i menjëhershëm për përmbajtje seksuale ndaj të miturve, kërcënime të besueshme, ose nxitje për vetëdëmtim.
  • Sulmet ndaj platformës: përpjekjet për të gjetur dobësi, për të hyrë me forcë në llogari ose për ta rënduar serverin bllokohen automatikisht sipas adresës IP (24 orë, 7 ditë, pastaj përgjithmonë kur përsëriten).

Kur një llogari pezullohet, personi merr një email me arsyen dhe me rrugën e ankesës. Kur një llogari fshihet (nga vetë personi ose nga ekipi), merr një email që e konfirmon. Nëse mendon se një masë është e padrejtë, brenda 30 ditësh shkruaj te [email protected] ose [email protected]. Rasti rishikohet nga një person.

5. Përmbajtja që publikon

Postimet në forum dhe citatet janë publike. Ajo që shkruan mbetet e jotja; duke e publikuar i jep platformës Shprehu të drejtën ta shfaqë brenda platformës. Mund ta fshish llogarinë në çdo kohë, në atë rast kontributet publike shkëputen nga identiteti yt dhe shfaqen si „Llogari e fshirë“, në vend që të fshihen, sepse fshirja do të linte përgjigjet e të tjerëve pa kuptim.

6. Bisedat private nuk ruhen

Bisedat një-me-një ekzistojnë vetëm sa zgjat biseda dhe zhduken kur ajo mbaron. Nuk ka mundësi ruajtjeje, shkarkimi apo historiku, as për ty, as për personin tjetër, as për ekipin. Kjo mundësi ekzistonte më parë dhe u hoq me vetëdije: një bisedë i takon dy njerëzve, ndaj nuk është e drejtë që njëri të mbajë të shkruar emrin dhe fjalët e tjetrit pa pëlqimin e tij.

Të kujtojmë gjithashtu: platforma nuk mund të pengojë teknikisht një screenshot. Bisedën turbullojmë sapo faqja del nga fokusi dhe kopjimi i tekstit është çaktivizuar, por vendos gjithmonë me kujdes se çfarë shkruan, njësoj si në çdo bisedë tjetër me një të panjohur.

Kur të dy jeni në aplikacionin Shprehu, biseda nuk mbyllet vetë kur njëri del për pak nga aplikacioni: mbetet e hapur derisa njëri prej jush ta mbyllë. Kur njëri është te faqja dhe tjetri në aplikacion, biseda pret deri 10 minuta që personi të kthehet. Edhe në këto raste mesazhet nuk ruhen.

7. Të drejtat e autorit

Emri „Shprehu“, logoja, pamja, tekstet, artikujt dhe kodi i platformës mbrohen me të drejtë autori dhe janë pronë e platformës Shprehu. Nuk lejohet kopjimi, riprodhimi, shpërndarja, modifikimi ose përdorimi tregtar i tyre pa leje paraprake me shkrim. Përjashtim bën përmbajtja që publikon vetë përdoruesi, e cila mbetet pronë e autorit sipas pikës 5 më lart.

8. Disponueshmëria

Shprehu varet nga njerëz që janë online në atë moment. Nuk garantohet se do të gjendet gjithmonë dikush për të folur, dhe shërbimi mund të ndërpritet për mirëmbajtje.

9. Përgjegjësia

Shërbimi ofrohet ashtu siç është. Nuk kontrollohet paraprakisht çfarë thonë përdoruesit me njëri-tjetrin dhe nuk mbahet përgjegjësi për këshillat ose mendimet e tyre. Kjo nuk përjashton përgjegjësinë që ligji nuk lejon të përjashtohet.

Asistenti AI është një program kompjuterik, jo njeri dhe jo terapist. Mund të gabojë dhe përgjigjet e tij nuk janë këshillë mjekësore apo psikologjike. Në rrezik, telefono 112.

Pyet psikologen. Kur kjo rubrikë është e hapur, mund t’i dërgosh një psikologeje një pyetje në ditë, vetëm brenda orarit që ka vendosur ajo. Përgjigjja është një këshillë e shkurtër me shkrim, jo diagnozë, terapi apo trajtim, dhe nuk zëvendëson një takim apo ndihmën urgjente. Psikologët i verifikon ekipi para se t’u japë rolin. Pyetjet ruhen të enkriptuara dhe fshihen vetë pas 30 ditësh. Mos shkruaj emrin, numrin apo adresën. Pyetjet fyese, spam-i ose keqpërdorimi trajtohen sipas pikës 4. Takimet me psikologen nuk janë ende të hapura; kur të hapen, do të paguhen paraprakisht dhe kushtet e tyre do të shkruhen këtu.

10. Ndryshimet dhe ligji i zbatueshëm

Kushtet mund të ndryshojnë; ndryshimet thelbësore njoftohen paraprakisht.

Shprehu operohet nga Benjamin Tahiri, në Kosovë. Këto kushte rregullohen nga legjislacioni i Republikës së Kosovës. Për përdoruesit në Republikën e Shqipërisë zbatohen gjithashtu dispozitat detyruese të legjislacionit shqiptar, veçanërisht ato për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të konsumatorit; asgjë në këto kushte nuk ua heq të drejtat që u jep ai ligj.

Çdo mosmarrëveshje përpiqemi ta zgjidhim fillimisht me mirëkuptim: shkruaj te [email protected]. Nëse nuk zgjidhet, kompetente janë gjykatat e Republikës së Kosovës, pa cenuar të drejtën e përdoruesve në Shqipëri për t'iu drejtuar gjykatave të vendit të tyre.

Shih edhe Politikën e Privatësisë dhe Udhëzuesin e dëgjuesit.